Dosja penale ndaj të shumëkërkuarit të drejtësisë Domart Konjari do të rigjykohet sërish në Apelin e Posaçëm, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të kësaj gjykate. Vendimi paraprak e kishte dënuar Konjarin me 15 vite burg në mungesë, për disa vepra të rënda penale.
Konjari u shpall fajtor më 7 tetor 2021 për “Krijim, organizim dhe drejtim të një organizate kriminale”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Falsifikim dokumentesh identifikimi” dhe “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, ai është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine drejt Europës, me bazë kryesore në Francë.
Hetimet tregojnë se Konjari drejtonte një rrjet të gjerë trafiku droge në disa shtete të Europës Qendrore dhe kishte lidhje direkte me furnitorët në Amerikën e Jugut. Ai konsiderohet gjithashtu si organizatori kryesor i vrasjes së Devi Kasmit, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në aktivitetet kriminale të trafikut të drogës në Spanjë.