Liqeni i Fierzës apo siç njihet ndryshe i Kukësit vetëm liqen nuk mund të quhet më pasi gjithçka ka mbetur i ngjason një përroi në mes të shkretëtirës që lutet për reshje shiu.
Liqeni që dikur konsiderohej një nga liqenet më të mëdha artificialë në Shqipëri dhe prodhuesi më i madh i energjisë në vend, tani është tharë plotësisht.
Në ditët e fundit, është përballur me një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit, duke arritur kuotën rreth 252 metra mbi nivelin e detit, shumë poshtë nivelit maksimal prej 296 metrash. Kjo situatë është pasojë e mungesës së reshjeve dhe të prurjeve nga lumenjtë që e furnizojnë, kryesisht Drini i Bardhë dhe Drini i Zi por edhe mbylljes së kaskadave të hidrocentralit.
Për këtë fakt banorët e Kukësit fajësojnë ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, pasi ka urdhëruar mbylljen e portave të hidrocentralit dhe tharjen totale të liqenit.
Rënia e shpejtë e nivelit ka bërë që të dalin në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se liqeni po afrohet me “pikën kritike” të funksionimit të hidrocentralit.
Nëse reshjet nuk rriten ose prurjet nuk përmirësohen shpejt, situata mund të përkeqësohet më tej.