Policia italiane ka arrestuar 35-vjeçarin shqiptar Elson Leka, i cili akuzohet se ka kryer një seri sulmesh dhe kërcënimesh ndaj një të riu italian dhe babait të tij, për shkak të një borxhi të pazgjidhur për drogën. Sipas mediave italiane, konflikti nisi për një shumë prej vetëm 1,000 eurosh, por përshkallëzoi në akte të rënda dhune dhe terrori.
Hetimet zbuluan se Leka përdori mjete të ndryshme për të detyruar shlyerjen e borxhit, përfshirë kërcënime me armë, dhunë fizike dhe madje edhe hedhjen e një lënde shpërthyese në banesën e familjes italiane. Ngjarja më e rëndë ndodhi në periferi të Romës, ku 35-vjeçari, së bashku me disa bashkëpunëtorë, sulmoi 23-vjeçarin italian dhe babain e tij, duke i lënë të dy të plagosur, ndërsa shqiptari kërcënonte: “Nëse nuk paguan, do të vras.”
Policia italiane arriti të sigurojë prova të rëndësishme përmes kamerave të sigurisë dhe hetimeve të tjera, që çuan në identifikimin dhe arrestimin e Lekës. Ai u shoqërua në burgun “Rebibbia” në Romë, ku pritet të përballet me akuzat për dhunë, kërcënim me armë dhe shpërthim të qëllimshëm me motive kriminale.