Katër të rinj janë shoqëruar pak minuta më parë nga policia në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë.
Sipas dëshmitarit që ka dërguar pamjet në redaksinë e JOQ Albania, gjithçka nisi pasi drejtuesi i një automjeti dyshohet se kundërshtoi urdhrin e policisë.
Fillimisht, uniformat blu i kërkuan që të zbriste vetëm njëri nga mjeti, por në vend të kësaj dolën të katërt njëkohësisht, gjë që solli ndërhyrjen e menjëhershme të disa forcave policore në vendngjarje.
Brenda pak minutash, në zonë mbërritën pesë patrulla dhe dy motorë policie, ndërsa të rinjtë u shoqëruan drejt automjeteve të policisë për t’u dërguar më pas në komisariat.
Sipas dëshmitarit, nuk pati dhunë fizike, megjithëse mes palëve u dëgjuan tone të ngritura dhe debate.
Ai shton se polici ka qenë i sjellshëm, pavarësisht ofendimeve që mori gjatë ndërhyrjes.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, ndërsa ende nuk dihen arsyet pse u ndalua drejtuesi i automjetit fillimisht.