U nis drejt Greqisë për një jetë më të mirë, por s’u kthye më: Nipi kërkon xhaxhain e zhdukur prej 33 vitesh

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.11.2025, 00:46

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel prekës për të ndihmuar në gjetjen e xhaxhait të tij, i cili është zhdukur prej më shumë se tre dekadash.

Sipas dëshmisë së tij, më 21 dhjetor 1992, Hysni Peshku, nga fshati Kostenjë i Librazhdit, u nis drejt Greqisë bashkë me dy kushërinj të parë, në valën e madhe të emigrimit të viteve të para pas rënies së diktaturës. Dy kushërinjtë e tij u kthyen pas disa kohësh pranë familjeve të tyre, por fati i Hysniut mbetet i panjohur deri më sot.

“Ju lutem publikojeni këtë foto sepse ju jeni faqja më e ndjekur dhe ndoshta dikush mund të dijë diçka. Xhaxhai im, Hysni Peshku, u nis për në Greqi më 21.12.1992 dhe që prej asaj dite nuk kemi më asnjë informacion për të. Kemi bërë kërkime në disa emisione televizive, por gjithmonë ndalen në një pikë dhe nuk na japin më informacion,” – shkruan nipi i tij në mesazhin dërguar redaksisë.

Familja, edhe pas 33 vitesh dhimbje e pasigurie, vijon të kërkojë çdo gjurmë që mund të çojë në zbulimin e fatit të Hysniut.

Nëse ndokush ka informacion për të ose ka qenë dëshmitar i ndonjë rrethane që lidhet me këtë histori, ju lutemi të kontaktoni në numrin: 0697507313.

“Do të ishte mrekulli për prindërit e tij të dinin më në fund se çfarë ndodhi me djalin e tyre,” – shprehet ai më tej për JOQ.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit