Mbyllet aeroporti i dytë më i madh suedez pas raportimeve për dronë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.11.2025, 23:13

Fluturimet në aeroportin Gothenburg-Landvetter, në perëndim të Suedisë, u pezulluan të mërkurën, më 6 nëntor, pas raportimeve për një ose disa dronë që po lëviznin në hapësirën ajrore, njoftuan autoritetet suedeze.

Sipas Agjencisë Suedeze të Aviacionit Civil (LFV), dronët u vërejtën mbi aeroport, gjë që detyroi mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore. Policia suedeze ka nisur një hetim për “sabotim të dyshuar të aviacionit”.

“Morëm disa raportime për dronë të dyshuar në orën 16:41 dhe shkuam në vendngjarje për të mbledhur informacione,” tha një zëdhënës i policisë, duke theksuar se hetimi është ende në zhvillim e sipër.

Drejtoresha e operacioneve në Swedavia, Susanne Norman, bëri të ditur se hapësira ajrore mbi Landvetter do të mbetet e mbyllur deri në përfundimin e hetimeve.

Landvetter është aeroporti i dytë më i madh në Suedi, pas Arlandës në Stokholm. Ngjarja vjen në një periudhë kur incidente të ngjashme me dronë kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të trafikut ajror në Evropë.

Së fundmi, autoritetet belge mbyllën përkohësisht disa aeroporte dhe një bazë ushtarake për shkak të dronëve, të cilët u konsideruan pjesë e një sulmi të mundshëm të koordinuar. Disa zyrtarë evropianë kanë ngritur dyshime se këto incidente mund të jenë element i një lufte hibride, ndërsa Rusia ka mohuar çdo përfshirje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit