Në zonën e Don Boskos dhe në shumë zona të tjera të Tiranës, parkimi mbi vizat e bardha dhe trotuare është bërë një problem i përditshëm. Ky fenomen jo vetëm krijon kaos në qarkullim, por paraqet edhe rrezik të drejtpërdrejtë për këmbësorët, veçanërisht për nënat me karroca dhe personat me aftësi të kufizuara.
Qytetarët shpesh janë të detyruar të ecin në rrugën e makinave për të kaluar, pasi trotuaret dhe kalimet e bardha bllokohen nga automjetet e parkuara. Situata ndodh çdo ditë, në orare të ndryshme, pa ndërhyrje të dukshme nga Policia Bashkiake apo strukturat e tjera të rendit.
Së fundmi, një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ për të raportuar një tjetër rast. Në pamjet e mbërritura shfaqet një mjet tip “Polo” i parkuar plotësisht mbi vizat e bardha, duke bllokuar kalimin e qytetarëve dhe duke treguar qartë problemin që përballen çdo ditë banorët e Tiranës.
Ata kërkojnë gjoba për mjetet që bllokojnë kalimet e këmbësorëve dhe heqjen e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt.