Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Romë, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë dhe kërcënime të përsëritura ndaj një të riu italian dhe familjes së tij, për një borxh prej vetëm 1,000 eurosh nga shitja e drogës.
I arrestuari, Elson Leka, dyshohet se gjatë muajve të fundit ka ndjekur, kërcënuar dhe dhunuar brutalisht viktimën për ta detyruar të shlyente paratë e kokainës që kishte blerë nga ai. Ngjarjet, sipas hetimeve, nisën në gushtin e kaluar, kur 23-vjeçari italian nuk arriti të paguante në kohë.
Sipas mediave italiane, Leka ka përdorur forma ekstreme presioni: ka kërcënuar me armë, ka goditur viktimën me biçikletë dhe madje ka hedhur një lëndë shpërthyese pranë banesës së familjes për ta frikësuar. Kërcënimet e tij ishin të hapura: “Nëse nuk paguan, do të vras.”
Episodi më i rëndë ndodhi në periferi të Romës, ku shqiptari, i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë, u përplas me të riun dhe babain e tij. Gjatë konfliktit, Leka dyshohet se tentoi ta godiste me thikë 23-vjeçarin, por ndërhyrja e të atit shmangu tragjedinë. Ky i fundit u dhunua rëndë, duke pësuar plagë të shumta në fytyrë dhe trup.
Policia arriti të identifikonte autorin përmes kamerave të sigurisë, ndërsa pas grumbullimit të provave, ekzekutoi urdhrin e arrestit. Elson Leka është dërguar në burgun Rebibbia të Romës.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse shqiptari ka lidhje me ndonjë grup të strukturuar kriminal që operon në zonën e bregdetit të Lacios. Autoritetet italiane kanë theksuar se për momentin, ai ndodhet në fazë hetimore dhe gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.