Zbulimet e KLSH-së “tërbojnë” Ramën: përdor Xhafajn për të ‘shantazhuar’ institucionin e vetëm që s’i bindet

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.11.2025, 20:37

Raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) duket se kanë shkaktuar nervozizëm në radhët e mazhorancës. Sipas burimeve pranë Kuvendit, kryeministri Edi Rama është irrituar nga konstatimet e auditimeve, të cilat kanë zbuluar abuzime në një sërë institucionesh shtetërore. Për pasojë, në skenë është rikthyer një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste – Fatmir Xhafaj – i cili është përdorur si “zë kritik” ndaj vetë KLSH-së.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, raportoi sot në Kuvend, duke paraqitur një tablo të qartë të abuzimeve me fondet publike në shumë institucione. Por ekspozimi i këtyre gjetjeve nuk është pritur mirë nga mazhoranca, e cila menjëherë ka reaguar përmes Xhafajt.

Fatmir Xhafaj, aktualisht në krye të komisionit parlamentar, u shfaq në foltore me një ton kritik ndaj vetë KLSH-së. Ai kërkoi “qartësim të konceptit të dëmit efektiv financiar” dhe ngriti dyshime mbi mënyrën se si audituesit përllogarisin dëmet në raportet e tyre. Në thelb, deklaratat e tij synonin të vendosnin nën pikëpyetje besueshmërinë e metodologjisë së përdorur nga institucioni.

“Në kushtet e keqpërdorimit të shifrave nga auditet e KLSH-së, është e domosdoshme të përkufizohet qartë dëmi efektiv financiar,” – u shpreh Xhafaj, duke lënë të kuptohet se rezultatet e auditimeve mund të jenë të fryra ose të interpretuara keq.

Më tej, Xhafaj hodhi dyshime mbi integritetin e audituesve të KLSH-së, duke përmendur “probleme të etikës dhe profesionalizmit”. Këto deklarata u interpretuan nga shumë si një tentativë për të vënë nën presion institucionin që, sipas ligjit, është i pavarur dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të qeverisë.

Në fjalën e tij, Xhafaj njoftoi edhe ngritjen e një nënkomisioni të ri parlamentar që do të “mbikëqyrë auditimet e sektorit publik”, përpjekje kjo për të kufizuar autonominë e KLSH-së.

“Kuvendi ka përgjegjësi kushtetuese për mbikëqyrjen e këtij institucioni. Ngritja e nënkomisionit do të rrisë llogaridhënien e KLSH-së dhe do të përgjigjet ndaj pyetjes: kush kontrollon kontrollorin?” – deklaroi Xhafaj.

Burime pranë KLSH bëjnë të ditur se institucionit po i ushtrohen presione të vazhdueshme politike, pas një sërë raportesh ku janë evidentuar shkelje të rënda financiare në institucione të rëndësishme shtetërore. Megjithatë, kreu i KLSH-së, Arben Shehu, ka bërë të qartë se nuk do të ndalet përballë këtyre përpjekjeve.

Gjatë raportimit në Komisionin e Financave, Shehu theksoi se KLSH është e pavarur dhe se ligji i jep të drejtën të auditojë çdo institucion publik, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe mbi kontrollin e fondeve publike,” – deklaroi Shehu, duke nënkuptuar se transparenca dhe llogaridhënia do të vijojnë pavarësisht pengesave politike.

Përplasja mes KLSH-së dhe mazhorancës po shihet si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kontrolluar institucionet që kanë rol mbikëqyrës mbi qeverinë. Zbulimet e fundit të audituesve kanë prekur nervin e administratës, ndërsa qëndrimi sfidues i Shehut duket se ka vënë në lëvizje mekanizmat politikë për ta kufizuar fjalën e institucionit.

Në këtë kontekst, “ushtari” i Ramës është vënë në lojë për të përgatitur terrenin për një kontroll të ri mbi vetë kontrolluesin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit