Hetimet për arsenalin e armëve të zbuluar javën e kaluar në furgonin i cili mbante logon e “Gener2” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë tashmë kanë kaluar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka referuar çështjen, pasi ka dyshime të forta se armët mund t’i përkasin një grupi kriminal të strukturuar.
Sipas hetuesve, arsenalit prej 23 armësh dyshohet se i përket grupit të A.H., person i shpallur në kërkim nga SPAK si organizatori dhe porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020. Ngjarja e asaj kohe u zbardh falë komunikimeve të dekriptuara në aplikacionin SKY ECC, që zbuluan veprimtarinë e grupit.
Në kuadër të hetimeve për armët, policia ka arrestuar 34-vjeçarin E.S., në emrin e të cilit ishte regjistruar furgoni ku u gjet arsenali. Ai më herët kishte punuar në lokalin “Monopol Lounge”, në pronësi të A.H., që ndodhet fare pranë vendit ku u zbulua mjeti.
Gjatë marrjes në pyetje, E.S. ka mohuar çdo lidhje me armët, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për çka ndodhej brenda furgonit. Megjithatë, ai ka refuzuar të japë informacione mbi dy persona të tjerë të shpallur në kërkim për këtë rast.
Armët e sekuestruara mes të cilave pushkë automatike, pistoleta dhe municione të shumta, janë dërguar për ekspertizë balistike, për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
SPAK pritet të vijojë hetimet për të zbuluar origjinën e arsenalit dhe për të përcaktuar nëse pas tij fshihet një rrjet kriminal aktiv në Tiranë apo më gjerë.