Nga “revolucioni moral” tek garat për poste publike, rruga paska qenë më e shkurtër nga sa mendonim. Endrit Shabani, dikur krahu i djathtë i Adriatik Lapajt në “Nismën që do ndryshonte politikën”, ka dhënë dorëheqjen nga Nisma Thurje për të hyrë në garë si kandidat për Avokatin e Popullit.
Pra, nga “lufta ndaj sistemit” në pjesëmarrje në sistem, një tranzicion që ndodh zakonisht kur era e pushtetit fillon të ndihet.
Nisma 'Thurje' tani drejtohet nga Elton Canaj, ndërsa Shabani kërkon të bëhet “zëri i qytetarëve” nga një zyrë e cila, për ironi, është një nga institucionet më të heshtura të këtij vendi.
3 nëntori ishte afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për postin e Avokatit të Popullit, dhe Shabani është një ndër 23 kandidatët që do kalojnë në procesin e verifikimit nga Kuvendi. Me pak fjalë, ai që dikur e quante “politikën e vjetër” si armikun kryesor, tani shkon t’i kërkojë asaj vlerësimin dhe votën.
Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë, Nisma Thurje dhe aleanca e saj me Lapajn u shndërruan në arenë akuzash, premtimesh të thyera dhe sherresh për karrige, ku idealet morën pushime të gjata dhe secili nisi të kërkonte “drejtësinë e vet”.
Në fund, duket se moralistët e rinj të politikës shqiptare po ndjekin të njëjtën rrugë që ndjekin të gjithë: nga “ndryshimi” drejt “emërimit”.