Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të marrë më seriozisht veprimet e Beogradit lidhur me projektin e njohur si “Bota Serbe”, duke paralajmëruar se kjo doktrinë mund të cenojë stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është një pikë kritike sigurie që kërkon vëmendjen e plotë të Bashkimit Europian”, deklaroi Radev gjatë një konference për media, kur u pyet për ndikimin që mund të ketë kjo nismë e Beogradit në rajon.
Sipas tij, është momenti që institucionet europiane të mos e nënvlerësojnë më këtë fenomen: “Besoj se ka ardhur koha që Europa ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin e duhur. Për ne është një temë tepër e ndjeshme”, theksoi presidenti bullgar.
Pak ditë më parë, edhe raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Tonino Picula, paralajmëroi për rreziqet që sjell ideologjia e “Botës Serbe”, një projekt që synon të rindërtojë ndikimin e Beogradit mbi territoret e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Bosnjë-Hercegovinës.
Analistët e krahasojnë “Botën Serbe” me versionin modern të projektit “Serbia e Madhe” të kohës së Millosheviçit, si edhe me konceptin “Bota Ruse” të promovuar nga Vladimir Putin, ku ndikimi politik dhe fetar i Kishës Ortodokse luan rol qendror.
Në qershor të vitit 2024, presidenti serb Aleksandar Vuçiç kryesoi në Beograd një asamble të gjerë me përfaqësues serbë nga gjithë rajoni. Në këtë takim u miratua “Deklarata gjithë-serbe”, një dokument strategjik që përshkruan në mënyrë të qartë hapat për zbatimin e projektit “Bota Serbe”.
Sipas deklaratës, Kosova përkufizohet si pjesë integrale e Serbisë, ndërsa Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë cilësohet si “interes kombëtar i Serbisë”, duke rritur frikën për tensione të reja në rajon.