Një qytetare nga Tirana ka denoncuar sot një situatë kaotike pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, afër Zogut të Zi, ku disa makina kanë parkuar në mënyrë të paligjshme duke bllokuar korsinë e autobusit dhe vetë stacionin urban.
Në pamjet e dërguara, shihet se disa makina janë ndalur madje me sinjalizues ndezur në mes të rrugës, duke detyruar autobusët të ndalojnë më tej, ndërsa pasagjerët duhet të zbresin ose të hipin në rrugë, mes trafikut.
Qytetarja thekson se mungesa e patrullave të policisë rrugore në këtë zonë është bërë arsyeja kryesore e kaosit të përditshëm, pasi shoferët ndihen të lirë të parkojnë ku të duan pa asnjë pasojë.
Denoncimi i qytetares:
"Përshëndetje Joq Albania! Këto pamje janë tek Pallati i Sportit, afër Zogut të Zi. Kjo është “qeveria jonë” dhe këta janë ata që kemi votuar! Ne duhet të marrim autobusin, por jo në stacionin normal — sepse duhet të kalojmë mes makinave ose të ecim më poshtë për ta kapur, për shkak se këtu mund të ketë ndonjë mbledhje zyrtare apo mungesë të policisë. Çdokush parkon sipas qejfit në mes të rrugës, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ky është shteti që kemi votuar! S’kam informacion të saktë, siç e kam shpjeguar më lart — mund të jetë për shkak të ndonjë mbledhjeje apo ndoshta mungesës së policisë. Ju po deshët shpërndajeni, po deshët jo, por ajo nuk është diçka normale — bllokon trafikun dhe ne që lëvizim me urbane nuk jemi të detyruar të shkojmë tek autobusi në mes të rrugës."