Vdekja e 21-vjeçarit Juris Becaj gjatë orarit të punës në fabrikën “SEËS Cabind Albania” ka nxjerrë në pah mangësitë serioze të sigurisë dhe menaxhimit të punës. Sipas dëshmive të punonjësve, kolegët tentuan disa herë të thërrisnin ambulancën, por telefonatat nuk u hapën. Ambulanca mbërriti me vonesë dhe, megjithëse Jurisi reagoi për pak çaste pas dhënies së adrenalinës, ndërroi jetë në fabrikë. Punëtorët që raportuan ngjarjen u kërcënuan me përjashtim nëse nuk vazhdonin punën, duke ngritur pyetje mbi përgjegjësinë dhe mungesën e humanizmit në menaxhimin e fabrikës.
Pas ngjarjes në redaksinë e JOQ kanë mbërritur lumë denoncimesh nga ish punonjës dhe punonjës, kritika që tregojnë se kjo nuk është një ngjarje vetme. Shumë punonjës janë ndjerë të fikët për shkak të lodhjes ekstreme, sidomos gjatë turnit të tretë, ndërkohë që mjeku i fabrikës nuk ofronte ndihmë efektive. Supervisorët dhe team leader-at ushtrojnë presion psikologjik dhe përdorin ton të lartë zëri, ndërsa pagesat janë minimale. Raste të mëparshme të helmit dhe problemeve me frymëmarrjen në vitin 2023 tregojnë një ambient pune të rrezikshëm dhe një mungesë serioze të përgjegjësisë nga drejtuesit.
Megjithatë, kompania, pjesë e gjigantit japonez Sumitomo, vazhdon të planifikojë zgjerimin e fabrikës dhe rritjen e numrit të punonjësve në rreth 2,500, duke u fokusuar më shumë te fitimet dhe kapaciteti prodhues sesa te siguria dhe mirëqenia e stafit. Vizita e Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe e ambasadorit japonez në korrik 2023 solli elozhe për zhvillimin e kompanisë dhe e prezantoi si një vend pune me perspektivë, ndërkohë që realiteti brenda fabrikës tregon mungesë të kushteve minimale të sigurisë dhe probleme serioze për shëndetin e punonjësve.
Denoncimi 1:
Përshëndetje, pashë një postim për atë djalin që kishte vdekur në “Sews Cabin” në Bathore. Unë kam punuar aty disa muaj me tre turne dhe gjatë gjithë kohës kam parë shumë raste ku personave u binte të fiket, dhe asnjëherë nuk lajmëronin ambulancën. Kishte një doktorresh aty, por pavarësisht se shumë personave u binte të fiket nga era dhe materialet toksike, nuk u munduan të gjenin zgjidhje. Supervisoret dhe team leader-at i bëjnë gjithashtu presion psikologjik punëtorëve për të punuar shumë. Edhe grupi ku isha unë ishte nën presion, por shikoja edhe grupe të tjera që kishin gra 40-50 vjeç, të cilave supervisoret dhe team leader-at jo vetëm që u bënin presion, por përdornin edhe ton të lartë zëri. Arsyeja që e lashë punën ishte sepse burimet njerëzore ishin zero, nuk u interesonte fare për ankesat e punëtorëve, dhe pagesa kur erdhi koha për rritje ishte vetëm 7 lek për orë. Për më tepër, edhe pse ambulanca nuk ka hapur telefonin, punëtorët dhe team leader-at e supervisor-at aty kishin makina, por nuk e kanë dërguar personin në spital.
Denoncimi 2:
Përshëndetje, djali 21-vjeçar që vdiq, vdiq në fabrikë, jo në spital. Postojeni dhe të merren masa për fabrikën, sepse punëtorëve u kërcënohet me përjashtim nga puna. Nuk iu dha ndihma e shpejtë e mjekut të fabrikës; ai mbeti i shtrirë aty për rreth 40 minuta deri 1 orë. Ai tha se nuk di çfarë ka, por nuk jeton më mes nesh. Dua që ky rast të bëhet i madh, të merren masa ndaj fabrikës, sepse ata nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë dhe nuk kanë humanizëm. Le të japim zë këtij rasti që mos të ketë raste të tjera.
Denoncimi 3:
Ka qenë turni i tretë, dhe shumë punëtorëve u ka rënë të fiket, sepse nuk e përballojnë dot. Është tmerr. I detyrojnë punëtorët të bëjnë turnin e tretë.
Denoncimi 4:
Sot 40 punëtorëve u ka rënë të fiket në fabrikën e telave në Bathore. Pas vdekjes së djalit 21-vjeçar nuk është marrë asnjë masë, sepse fabrikën e ka Olsi Rama.
Denoncimi 5:
Oh Zot! Ngushëllime të përzemërta. Unë jam një ish-punonjëse e asaj fabrike. Jam shumë e zhgënjyer duke nisur nga stafi, i cili ka prioritet punën dhe jo individin si person. Atje punojnë gra të nderuara që kanë plot halle dhe probleme në shtëpi për të marrë një rrogë minimale, dhe dëgjohen brohorimat e supervizorëve dy metra larg. Është skandal, betohem. Ju si faqe e nderuar, bëni të pamundurën ose mbylleni fabrikën, ose bëni diçka, sepse nuk duhet të ndodhin raste si ato. Para një viti, punëtorët janë helmuar aty dhe ka pasur shumë raste të tjera. Rrogat janë të ulëta, stafi është skandal, duke nisur që nga trajnimi ku flasin me një fjalor sikur po ua han bukën, jo sikur po shkoni për të punuar. Shpresoj që të merren masa për punëtorët. Puna është e lodhshme, por stafi e bën edhe më të rëndë.
Denoncimi 6:
Është shumë e vërtetë ajo që ka shkruar qytetarja për atë fabrikë. Po ashtu, unë jam një nga ata që më kanë nxjerrë nga puna në orën 12 të natës pa asnjë lloj përgjegjësie, sepse nuk munda atë natë të bëja procesin e punës. Më kanë larguar nga puna dhe çfarë të pres nga Shqipëria si vend pa shpresë.