Një hetim i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile spanjolle ka zbuluar një rrjet të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës, të udhëhequr nga mafia shqiptare, me bazë operative në ishullin e Ibizës. Hetimi, i koduar “Enroque Bal/Manso”, ka zbuluar se organizata përdorte Ibizën si pikë grumbullimi për kokainën dhe kanabisin që transportohej nga Amerika e Jugut dhe Maroku, përpara se të shpërndahej në Majorka, Valencia dhe destinacione të tjera evropiane.
Sipas autoriteteve, droga transportohej në mënyrë spektakolare, hidhej në det të hapur në çanta të pajisura me GPS dhe mblidhej nga motoskafe të fuqishme me tre motorë, secili me 300 kuaj fuqi. Çdo operacion mund të transportonte deri në 750 kilogramë drogë në një natë. Policia ka dokumentuar të paktën 43 episode të tilla trafiku.
Hetimet zbuluan një strukturë logjistike të sofistikuar në Ibiza, që përfshinte ambiente magazinimi të fshehura dhe rrugë të sigurta transporti drejt gadishullit. Nga dokumentet e sekuestruara rezulton se rrjeti kishte lëvizur mbi 2 tonë kokainë dhe 5.6 tonë hashash, me një qarkullim financiar që kalonte 25 milionë euro.
Një detaj që ka tërhequr vëmendje ishte fakti se disa pako me kokainë mbanin fotografinë e presidentit rus Vladimir Putin, një shenjë identifikuese e përdorur nga rrjetet e mëdha ndërkombëtare për të treguar origjinën e ngarkesës.
Në krye të organizatës ishte Stefan Milojeviç, një emër i njohur i mafias ballkanike dhe bashkëpunëtor i ngushtë i klaneve shqiptare. Ai e quante operacionin e tij “Liga e Kampionëve” të trafikut, sipas përgjimeve të publikuara nga autoritetet. Rrjeti përfshinte gjithashtu një inspektor të Policisë Kombëtare, një avokat dhe disa menaxherë hotelesh, që përdornin bizneset për pastrimin e parave.
Midis më shumë se 100 të arrestuarve, spikat rasti i Faustino Nogales, inspektor policie i akuzuar për rrjedhje informacioni dhe ndihmë ndaj organizatës. Ai dyshohet se ka paralajmëruar trafikantët për operacionin final të policisë, gjë që detyroi autoritetet të ndërhyjnë më herët se planifikuar.
Operacioni “Enroque Bal/Manso” është cilësuar nga autoritetet spanjolle si një nga goditjet më të mëdha kundër mafias shqiptare në Evropë, duke ekspozuar përmasat e vërteta të ndikimit të saj në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
