Sonte në orën 19:00, para Parlamentit Shqiptar në Rrugën e Elbasanit, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës do të organizojë një tubim paqësor për të kundërshtuar kalimin e Projektligjit për Barazinë Gjinore. Organizatorët i kanë ftuar qytetarët të vishen me të zeza, duke e konsideruar këtë si një simbol zie kombëtare për mbrojtjen e familjes dhe vlerave tradicionale.

Protesta e mbrëmjes vjen pas një tubimi të zhvilluar sot në mëngjes, në orën 09:30, po para Kuvendit. Qytetarët u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj projektligjit dhe për të mbrojtur, sipas tyre, interesat e familjes dhe fëmijëve. Tubimi i mëngjesit u zhvillua në mënyrë paqësore, pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe slogane për mesazhin e tyre.
Koalicioni ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen edhe në tubimin e mbrëmjes, duke theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar në procesin ligjor dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar për vlerat e familjes dhe të kombit. Forcat e rendit do të jenë në vendngjarje për të garantuar zhvillimin paqësor të protestës.