Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gullbovc të Malishevës, ku dy vëllezër u ekzekutuan me armë zjarri para shtëpisë së tyre, në një kohë kur familja ishte ende në zi për humbjen e babait.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi paraditen e sotme, ndërsa autor i dyshuar është Astrit Isufi, me banim në fshatin Sankovc, bashkëshorti i motrës së viktimave. Ai kishte shkuar në shtëpinë e familjes për të marrë bashkëshorten e tij, e cila ndodhej aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait.
Nga të dhënat paraprake, pasi kishte dalë nga oborri dhe ishte larguar disa metra, Isufi është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, duke i lënë të vdekur në vend.
Një i afërm i familjes, i tronditur nga ngjarja, është shprehur:
“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë.”
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Ndërkohë, autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe po kërkohet në zonën përreth.
Fshati Gullbovc ndodhet sot në tronditje të thellë nga kjo ngjarje tragjike, e cila ka marrë jetën e dy vëllezërve vetëm pak ditë pas vdekjes së të atit të tyre.