“Armën e bleva në Temu”/ Zbardhet dëshmia e 20-vjeçarit që hiqej si polic në Kamëz

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.11.2025, 12:22

Janë zbardhur detajet e plota nga dosja hetimore e 20-vjeçarit Ervis Brasha, i cili u ndalua nga policia teksa lëvizte me uniformë të Policisë së Shtetit dhe dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Sipas dosjes, Brasha është nën hetim për “falsifikim të dokumenteve”, “mbajtje pa të drejtë të uniformës”, “përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

I riu u ndalua nga shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit nr. 5 Kamëz, teksa drejtonte një automjet me targë AB252VO, i veshur me uniformë të plotë policie, grada dhe stema.

Pas verifikimit në sallën operative, rezultoi se Brasha nuk ishte punonjës i Policisë së Shtetit. Gjatë kontrollit në mjet, efektivët gjetën katër spaleta policie, dy stema gjoksi me gradat N/Komisar dhe Komisar, si dhe dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, që mbanin emrin, mbiemrin dhe fotografinë e tij. Një prej dokumenteve kishte mbishkrimin “Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit”, ndërsa një tjetër atë të “Policisë Bashkiake Tiranë”.

Në dëshminë e tij, Brasha ka rrëfyer se më herët kishte qenë punonjës i policisë bashkiake të Tiranës, por kishte dhënë dorëheqjen për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Ai ka thënë se ka aplikuar për pranim, por nuk i ka kaluar të gjitha etapat e kualifikimit.

E kam pasion të jem punonjës policie, për këtë arsye i kam mbajtur këto veshje,” – ka deklaruar ai para oficerëve.

Në lidhje me armën e gjetur, Brasha ka pohuar se bëhej fjalë për armë imitim, të blerë online në faqen Temu, ndërsa për dokumentet është shprehur se i ka printuar dhe plastifikuar gjatë kohës kur punonte në Policinë Bashkiake, në një kancelari që nuk e mban mend.

Sipas të dhënave të dosjes, automjeti që drejtonte 20-vjeçari rezulton i marrë me qira në zonën e Astirit. Brasha ka deklaruar se do të japë shpjegime të tjera përpara gjykatës në një moment të dytë.

Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa uniformat dhe dokumentet e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë kriminalistike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit