Avokati Delo Meçani është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, pas urdhrit të lëshuar nga prokuroria për akuzat “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai dyshohet se ka përvetësuar 19.200.000 lekë nga dy persona, S. S. dhe B. E., duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdoruar besimin e tyre.
Hetimet tregojnë se Delo Meçani ka kaluar një pjesë të parave, rreth 2.000.000 lekë, në llogarinë e një personi tjetër, E. A., me përshkrimin “këst për blerje apartamenti”. Veprimet e tij dyshohet se përmbushin elementët e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Procedimi penal ndaj tij nisi pas kallëzimit të bërë nga S. S. dhe B. E., të cilët raportuan për humbjen e shumës së përmendur. Materialet e çështjes janë administruar nga prokuroria dhe gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak më 6 nëntor 2025, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.