U ‘persekutua’ me ulje grade pas arrestimit të Altin Morinës, largohet përfundimisht nga policia Ritvan Pali

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.11.2025, 09:36

Specialisti për Rendin në Sektorin e Rendit Publik në Kukës, Ritvan Pali, është larguar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen.

Pali, pjesë e strukturave të rendit, u bë i njohur për publikun pas arrestimit të bujshëm të ish-shefit të Stërvitjes në Repartin e Forcave Speciale RENEA, Altin Morina, i akuzuar për përfshirje në trafik droge dhe pjesëmarrje në grupe kriminale.

Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se pas këtij operacioni, i cili nuk ka qenë në interes të disa funksionarëve të policisë, Pali u transferua nga shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë në Drejtorinë e Policisë Kukës, me ulje në gradë dhe detyrë. Ky transferim, i konsideruar nga shumë si një “ndëshkim i heshtur”, ndodhi në tetor të këtij viti.

Më pak se një muaj më vonë, Pali vendosi të largohej plotësisht nga shërbimi aktiv, duke i dhënë fund karrierës së tij shumëvjeçare në Polici.

Pas arrestimit të Altin Morinës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka urdhëruar një sërë lëvizjesh dhe riorganizimesh në strukturat e rendit, përfshirë edhe efektivë të tjerë që morën pjesë në aksionin për kapjen e ish-zyrtarit të RENEA-s.

Ngjarja ka ngjallur diskutime të shumta brenda dhe jashtë strukturave të policisë, për mënyrën se si trajtohen oficerët që marrin pjesë në operacione ndaj figurave me ndikim në sistem. Përplasja për Altin Morinën ka ekspozuar rrënjësisht konfliktin e interesit brenda Policisë, ndërkohë që organet përgjegjëse si AMP dhe Ministria e Brendshme vijojnë të heshtin, duke i hapur rrugë arbitraritetit dhe një drejtësie të kthyer përmbys. Kjo tregon se ndëshkimi nuk vjen për shkeljen e ligjit, por për zbatimin e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit