Era e re e “Luftës së Ftohtë”? Rusia po planifikon rifillimin e testeve bërthamore pas deklaratave të Trump

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.11.2025, 01:16

Në një zhvillim që ka ndezur frikën për rikthimin e “Luftës së Ftohtë”, presidenti rus Vladimir Putin u ka kërkuar zyrtarëve të tij të përgatisin plane për mundësinë e rifillimit të testeve bërthamore, pas komenteve të Donald Trump që sugjeronin se SHBA mund të bëjë të njëjtën gjë.

Gjatë një takimi me Këshillin e Sigurisë, Putin përsëriti se Rusia nuk do të rifillojë testet nëse SHBA nuk e bën e para, por u kërkoi ministrive të Mbrojtjes dhe të Jashtme, si dhe institucioneve të tjera, të analizojnë qëndrimin e Uashingtonit dhe të dorëzojnë propozime konkrete për rifillimin e provave bërthamore.

Trump, në një postim të bërë më 30 tetor gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut, la të kuptohej se SHBA do të riniste testet e armëve bërthamore “në kushte të barabarta” me Rusinë dhe Kinën. Më pas, Sekretari amerikan i Energjisë sqaroi se testet e reja nuk do të përfshijnë shpërthime bërthamore, por Putin duket se e mori seriozisht sinjalin.

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, i raportoi Putinit se SHBA po modernizon arsenalin e saj bërthamor, duke shtuar se çdo hap drejt rifillimit të testeve “rrit ndjeshëm rrezikun ushtarak ndaj Rusisë”. Ai propozoi që përgatitjet për testime të nisin menjëherë në arkipelagun e largët të Novaya Zemlya në Arktik, vendi ku Bashkimi Sovjetik kreu testin e tij të fundit bërthamor në vitin 1990.

Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov, paralajmëroi se Rusia mund të humbasë kohën nëse nuk reagon me shpejtësi, pasi përgatitjet për teste të tilla mund të zgjasin nga disa muaj deri në disa vite.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sqaroi se Putini nuk ka dhënë ende urdhër për rifillimin e testeve, por vetëm për analizimin e nevojës për to. Ndërkohë, Dmitry Medvedev komentoi me ironi në rrjetet sociale:

“Askush nuk e di çfarë donte të thoshte Trump me ‘teste bërthamore’ — ndoshta as vetë ai. Por është president i SHBA-së, dhe pasojat e fjalëve të tilla janë të pashmangshme: Rusia duhet të shqyrtojë mundësinë e kryerjes së testeve të plota bërthamore.”

Me tensionet që po rriten dhe deklaratat që rikthejnë fjalorin e dekadave të errëta, duket se hija e “Luftës së Ftohtë” po afrohet sërish mbi skenën botërore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit