Një tjetër skenë alarmante që dëshmon shkeljen flagrante të rregullave të qarkullimit dhe indiferencën tronditëse ndaj jetës, është filmuar gjatë orëve të natës në autostradën Durrës–Tiranë.
Pamjet e siguruara për JOQ Albania nga një qytetar tregojnë një automjet teksa lëviz me qetësi të frikshme në korsinë e kundërt, pikërisht në krahun e shpejtësisë, ndërsa automjetet që vijnë përballë udhëtojnë në drejtimin e rregullt.
Shoferi “kamikaz”, përveçse ka shkelur çdo rregull të qarkullimit, ka rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë që ndodheshin në atë segment. Videoja, e filmuar nga një pasagjer brenda një automjeti që po udhëtonte në kahun e duhur, ekspozon qartë sjelljen kriminale të drejtuesit të mjetit.
Edhe pse pamjet janë të errëta dhe targa nuk identifikohet, rreziku është i menjëhershëm dhe i dukshëm.
Qytetari që dërgoi videon në redaksinë e JOQ Albania shprehet i revoltuar nga mungesa e kontrolleve dhe ndëshkimeve, duke theksuar se raste të tilla po përsëriten vazhdimisht në të njëjtin aks, pa asnjë reagim serioz nga autoritetet.