Pas disa muajsh përplasje të brendshme dhe transferimesh të dyshimta, ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, është larguar përfundimisht nga Policia e Shtetit.
Pali ishte drejtuesi që udhëhoqi operacionin për arrestimin e Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s, i akuzuar për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik droge, i cili kërkohej nga SPAK.
Sipas burimeve, pas këtij arrestimi, që për disa u pa si një veprim profesional, por për të tjerë si një “gabim i pafalshëm”, në radhët e policisë nisi një valë hakmarrjesh të heshtura.
Pali u bë i padëshirueshëm për disa drejtues të lartë, mes tyre zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili, sipas informacioneve, kishte marrëdhënie të ngushta me të arrestuarin Morina.
Fill pas ngjarjes, të gjithë punonjësit e Komisariatit nr. 2 që morën pjesë në operacion u “shfarosën” nga detyra, ndërsa Pali, megjithëse fillimisht dha dorëheqjen në shenjë proteste, u detyrua ta tërhiqte pas presionit nga lart.
Por “gjuetia” ndaj tij nuk ndaloi. Me urdhër të Prodës, dhe me bekimin e drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, Pali u transferua disa herë brenda pak muajsh, duke iu ulur grada dhe përfundimisht u dërgua në Komisariatin e Leskovikut, një pozicion që u konsiderua gjerësisht si ndëshkim i maskuar.
Së fundi, i lodhur nga trajtimi arbitrar dhe humbja e besimit te institucioni, ai vendosi të japë dorëheqjen përfundimtare nga uniforma blu.
Ky rast është cilësuar nga shumë punonjës policie si një shembull i qartë i goditjes ndaj atyre që zbatojnë ligjin, ndërsa figura të dyshuara për lidhje me persona në hetim gëzojnë mbrojtje e privilegje.
Ngjarja, që në çdo vend normal do të kishte shkaktuar reagime të forta, në Shqipëri ka kaluar pothuajse në heshtje, një tjetër rast që ngre pyetjen se në shërbim të kujt funksionon sot Policia e Shtetit: të ligjit, apo të miqësive personale?