Goditet grupi shqiptar i trafikut të drogës në Belgjikë, sekuestrohen mbi 1.6 ton kokainë dhe armë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 05.11.2025, 21:18

Autoritetet belge kanë goditur një grup kriminal shqiptar të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës, duke arrestuar 16 persona dhe sekuestruar mbi 1.6 ton drogë.

Prokuroria e Antverpës njoftoi se operacioni u zhvillua pas hetimeve intensive mbi një organizatë që dyshohet se importonte kokainë përmes portit të Antverpës. Gjatë aksionit, u sekuestruan gjithashtu armë zjarri, municione dhe dokumente të falsifikuara.

Sipas prokurores Kato Belmans, Policia Federale Gjyqësore (FGP) kishte informacione për një bandë kryesisht shqiptarë që përdornin një magazinë në rrugën Pereboom, në Moerbeke, afër Lokeren, për të nxjerrë drogën nga kontejnerët. Operacioni u kryhe më 21 tetor nga njësitë speciale. Gjatë ndërhyrjes në Sint-Niklaas dhe rrugën ekspres E34, u arrestuan gjashtë persona, ndërsa në një furgon u gjetën 1.398 kg kokainë të fshehura në arka druri.

Hetimet zbuluan gjithashtu se banda përdorte tre apartamente në rrugën Van Immerseel në Antverpë për magazinimin e përkohshëm të drogës. Në këto banesa, policia gjeti hapësira të fshehta të ndërtuara profesionalisht. Një 39-vjeçar nga Holanda rezultoi i specializuar në krijimin e këtyre hapësirave, ku u gjetën edhe 277 kg kokainë, një presë për përpunimin e drogës dhe disa armë zjarri me municion. Në total u arrestuan shtatë persona gjatë këtij operacioni.

Grupi kriminal përdorte gjithashtu një magazinë në rrugën Scheldelaan në Willebroek. Javën e kaluar, gjatë kontrolleve, policia arrestoi tre shtetas serbë të moshës 22 dhe 25 vjeç, duke sekuestruar 10.000 euro, një pajisje për ndërprerjen e sinjaleve (“jammer”), pasaporta dhe karta policie të falsifikuara, si dhe armë me municion.

Të dyshuarit u paraqitën para dhomës së këshillit, e cila vendosi arrestimet për shumicën, ndërsa për tre prej tyre seanca u shty.

Hetimet tregojnë se grupi furnizonte me kokainë organizata të tjera kriminale, duke përdorur banesa në Antverpë si qendra tranziti drejt Mbretërisë së Bashkuar me kamionë. Ky grup ishte goditur edhe më parë, në mes të shtatorit, kur u arrestuan tre persona të tjerë me 50 kg kokainë, 25 kg ketaminë dhe disa armë zjarri. Të gjithë ndodhen aktualisht në paraburgim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit