Një plagosje me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e sotme pranë Liqenit të Paskuqanit, në afërsi të rrugës “Ali Këlcyra”.
Sipas informacioneve paraprake, një 30-vjeçar, i identifikuar si shtetasi E. V., është plagosur në krah dhe është dërguar me urgjencë në spital nga ambulanca. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një banor i zonës që dëgjoi të shtënat tregon për JOQ Albania se ngjarja ndodhi në një moment kur “rruga ishte plot me fëmijë dhe vizitorë”, duke shtuar se “i riu ishte mbuluar me gjak” dhe se “ambulanca e mori menjëherë nga vendngjarja”.
Policia ka rrethuar zonën me shirita sigurie dhe grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.