Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tuzlës në verilindje të Bosnjës, ku një zjarr shkatërrimtar shpërtheu mbrëmjen e së martës në një azil pleqsh, duke shkaktuar disa viktima dhe të plagosur.
Sipas të dhënave më të fundit nga policia lokale, 11 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 30 të tjerë janë plagosur dhe janë shtruar në Spitalin Universitar të Tuzlës. Ndër të plagosurit gjenden edhe pesë zjarrfikës dhe tre policë, të cilët morën pjesë në operacionet e shpëtimit.
Fillimisht autoritetet raportuan për 10 viktima dhe 20 të plagosur, por bilanci është rënduar mëngjesin e sotëm.
Zjarri shpërtheu rreth orës 21:45 (me orën lokale) në katin e shtatë të një ndërtese shumëkatëshe në qendër të Tuzlës, ku strehoheshin kryesisht persona të moshuar, të sëmurë dhe të paralizuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, flakët u vunë nën kontroll pas rreth një ore, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Një banore e azilit, Ruža Kajic, tregoi për televizionin publik BHRT momentet dramatike:
“Po shkoja të flija kur dëgjova disa zhurma. Pashë nga dritarja dhe vura re që binin objekte të ndezura nga sipër. Vrapova në korridor… në katet e sipërme janë njerëz të palëvizshëm,” rrëfeu ajo e tronditur.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë, Admir Arnautović, njoftoi se procesi i identifikimit të trupave do të kryhet gjatë ditës së sotme.
Tragjedia ka ngjallur reagime të shumta në nivel kombëtar. Kryetari në detyrë i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Željko Komšić, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit. Ndërkohë, kryeministri i entitetit kroato-mysliman, Nermin Nikšić, e cilësoi ngjarjen si një “katastrofë” që ka tronditur të gjithë vendin.
Edhe Qeveria e Republikës Srpska, entiteti tjetër i Bosnjës, ofroi ndihmë për qytetin e Tuzlës. “E ndjejmë dhimbjen dhe jemi gjithmonë gati të ndihmojmë,” shkroi në rrjetin social X kryeministri Savo Minić.
Ngjarja tragjike ka hapur sërish debatin për standardet e sigurisë në institucionet që strehojnë persona të moshuar dhe të sëmurë në Bosnjë, ndërsa qytetarët e Tuzlës po përjetojnë një nga ditët më të rënda të viteve të fundit.