Janë publikuar pjesë të tjera nga dosja hetimore e tunelit të Llogarasë, një nga çështjet më të bujshme që po heton SPAK, ku ndër të pandehurit figuron edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, përkrah disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në dokumentet hetimore të siguruara nga prokuroria janë zbardhur mesazhe telefonike mes Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të nxjerra nga një celular “BlackBerry”, i sekuestruar gjatë hetimeve. Bisedat mes tyre zbulojnë jo vetëm marrëdhënie të ngushtë profesionale, por edhe tone miqësore, kërcënime të tërthorta dhe referenca për emërime apo vendime të rëndësishme në administratë.
Një nga komunikimet kyçe daton më 28 maj 2021, kur Belinda Balluku i dërgon Berberit këtë mesazh:
“I dashur Visi, marrëdhënia jonë ka kaluar ‘ups and downs’ shumë herë, por e rëndësishme është që unë ty të konsideroj një nga personat më të afërt... Këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, jotja dhe e shumë të tjerëve përreth nesh. Dua ta marrësh shumë seriozisht... Mos më zhgënje! Ta gëzosh, sapo e more emërimin.”
Në përgjigje, Berberi i shkruan:
“Faleminderit. Më ke vlerësuar gjithmonë më shumë sesa kam pasur mundësi ta kthej. Nuk do të zhgënjej, përkundrazi.”
Vetëm tre ditë më pas, më 31 maj 2021, Berberi është emëruar zyrtarisht Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke përforcuar dyshimet e hetuesve se vendimi kishte qenë i paracaktuar.
Sipas burimeve nga SPAK, këto biseda po përdoren si prova për lidhjet e drejtpërdrejta mes vendimmarrjeve politike dhe procedurave administrative, përfshirë tenderin e shumëpërfolur të tunelit të Llogarasë, me vlerë dhjetëra miliona euro.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa Balluku dhe pesë vartësit e saj janë marrë të pandehur për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepër që mund të sjellë dënime deri në 7 vite burg.
Në datën 28.05.2021, Belinda Balluku i dërgon Evis Berberi mesazhin:
Belinda Balluku: “I dashur Visi, marredhenia jone ka kaluar ups and downs shume here, por e rendesishme eshte qe une ty te konsideroj nje nga personat me te afert.
Ndryshe nga heret e jera, kete here po te jap dicka nga e cila varet e ardhmja ime, e jotja dhe e shume te tjereve që ndodhen perqark nesh. Ne rast se do te deshtoje ne kete detyre te re, te siguroj qe do ishte nje goditje e madhe per mua dhe deshtimi ka te bej me punet, deadlines dhe deri tek marredheniet me njerezit dhe fjalet qe do qarkullojnë.
Dua ta marresh shume seriozisht, dua te reflektosh mbi te dhe e hena te jete nje stage i ri i jetes tende profesionale. Hermetizem, asnje takim, asnje premtim, te jesh prezent ne cdo kantier, te mos marresh vendime pa konsultim. Mos me zhgenje! Ta gezosh, sapo e more emerimin”.
Evis Berberi: “Faleminderit. Me ke vleresuar gjithmone me shume se sa kam pasur mundesi ta kthej. Nuk do te zhgenjej perkrundrazi.”.
Ne lidhje me komunikimin e mësiperm thotë SPAK, rezulton se në datën 31.05.2021, shtetasi Evis Berberi është emëruar në detyrën e Drejtorit te Pergjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në datën 19.08.2021, Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Hajde ne zyre tek une”.
Evis Berberi: “Erdha”.