Bisedat e zbardhura nga aplikacioni Sky Ecc kanë nxjerrë në dritë detaje tronditëse lidhur me aktivitetet e një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili vepronte mes Kolumbisë dhe Evropës në vitet 2020-2021. Grupi, i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të tjerë, përdorte kontejnerë me fruta, produkte industriale dhe konsum, për të transportuar lëndë narkotike nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Anversës në Belgjikë. Dy emra të njohur të trafikut, Plaurent Dervishaj dhe Artur Hoxhosmani, shfaqen si figura kyçe në këto operacione.
Në bisedat e zbardhura, bëhet e qartë se lënda narkotike, kryesisht kokaina, transportohej me një sistem të sofistikuar, duke përfshirë përdorimin e punonjësve të sigurisë në portin e Anversës. Në një episod të veçantë, Dervishaj dhe Hoxhosmani janë të përfshirë në një operacion ku një ngarkesë prej 989 kg kokainë u kap pas mbërritjes në Belgjikë. Pjesë e këtij grupi janë gjithashtu edhe emrat e tjerë të përfshirë, si Erion Alibej dhe Artur Hoxhosmani, i cili e quan veten me mburrësi “Konsulli i Burrelit” në bisedat e tij.
Bisedat e tjera zbulojnë një rast ku shoferi i një kamioni, i cili po transportonte drogën, ka tentuar të hedhë telefonin e koduar në det, pasi pa kontrollet policore në port. Gjithashtu, bisedat mes Dervishaj dhe Alibej tregojnë se ata kishin kontakte të shpeshta dhe diskutonin mënyrat për të kaluar ngarkesat pa u kapur, duke përdorur një rrjet të sofistikuar dhe me mbështetje nga brenda. Hetimet janë ende në vazhdim, ndërkohë që autoritetet po përpiqen të zbardhin më tej lidhjet ndërkombëtare të këtij grupi të rrezikshëm.
Bisedat në Sky Ecc
Para dy javësh bëri dalje 300 copë
Jam merzit pak, mu kap një punë ka dy ditë, 811 copë.
U bënë 6 rrugë rresht që nuk ecin.
Nuk po merret vesh.
Ekuador, me paleta drush
Po u kapën 4 ton dy ditë para, i futën të gjitha anijet në skaner.
Po çdo gjë ishte ok, po fat leshi.
Po kjo punë kështu e ka.
Atë shoferin e furgonit e ka ndaluar policia.
Bile kryesori është në burg në Spanjë.
Mu kap ajo që të thashë në Belgjikë 811 copë.
Ka më shumë se një muaj vëlla, e kisha me firmë, me paletë druri.
Bisedat në Sky Ecc- Erion Alibej bisedon me Plaurent Dervishaj
E kanë lënë shoferin me ik, besoj po e ruajnë.
Tani besoj do e çojnë në kompani kutinë dhe do presin.
Do lajmërojë shteti kompaninë që ka mall brenda.
Se as firmës nuk i kanë komunikuar gjë.
Mos e vrit mendjen tha se jemi zero, do e rikuperojmë shumë shpejt.