Pamje dramatike janë regjistruar të martën në Shtetet e Bashkuara, ku një avion mallrash i kompanisë UPS ka shpërthyer në flakë pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar “Muhammad Ali” në Louisville, Kentucky.
Videoja e bërë virale në rrjet tregon momentin kur avioni MD-11 cargo, që po nisej drejt Honolulu, Hawaii, fillon të digjet në krahun e majtë gjatë ngritjes. Vetëm pak çaste më pas, ndodh shpërthimi i fuqishëm, duke ndezur një zjarr masiv që përfshiu pistën dhe zonën industriale përreth aeroportit.
Sipas të dhënave të para, avioni i linjës UPS Flight 2976 u përplas në tokë rreth orës 17:15 me orën lokale, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe një re tymi të zi që mbuloi një pjesë të qytetit. Autoritetet kanë konfirmuar se ka persona të plagosur, por numri dhe gjendja e tyre ende nuk janë bërë publike.
Zjarri, që shpërtheu menjëherë pas përplasjes, ka përfshirë disa ndërtesa industriale dhe një pjesë të parkimit pranë aeroportit. Në pamjet ajrore shihet një vrimë e madhe në një nga godinat e zonës dhe debris të përhapura përgjatë pistës.
Policia e Louisville ka njoftuar se zona e Fern Valley Road dhe Grade Lane është mbyllur plotësisht, ndërsa është dhënë urdhër që banorët të mos dalin nga banesat brenda një rrezeje 5 milje nga aeroporti, për shkak të rrezikut të përhapjes së tymit dhe zjarreve dytësore.
Guvernatori i shtetit, Andy Beshear, reagoi menjëherë përmes rrjeteve sociale duke u bërë thirrje qytetarëve të luten për ekuipazhin dhe të prekurit:
“Ju lutem, lutuni për pilotët, ekuipazhin dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi.”
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë në Transport (NTSB) kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në motorin e majtë të avionit gjatë momentit të ngritjes, çka ka bërë që piloti të humbiste kontrollin dhe të ndodhte shpërthimi fatal.
Në Louisville, qetësia e një pasditeje të zakonshme u kthye brenda sekondash në një 'skene lufte', ndërsa qyteti mbulohej nga tymi dhe flakët.