Spektakël në Champions: Liverpooli mposht Realin, Bayern triumfon në Paris!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.11.2025, 23:15

Mbrëmja e sotme e Champions League solli emocione të forta, gola dhe rezultate të papritura në disa prej stadiumeve më të zjarrta të Europës. “Anfield” u kthye në një festë të kuqe, pasi Liverpooli arriti të mposhtë Real Madridin me rezultatin minimal 1-0, në një ndeshje plot ritëm dhe tension

Pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që kërkonin dominimin, por pa efikasitet në finalizim. Zhbllokimi erdhi në minutën e 60-të, kur Dominik Szoboszlai harkoi saktë nga një goditje dënimi dhe Alexis Mac Allister mposhti Courtois me një goditje precize. Portieri belg ishte shpëtimtari i Realit në disa raste të pastra, por nuk mundi të ndalonte golin që vulosi fatin e takimit. Ironikisht, Mac Allister është një nga emrat që ndodhet në listën e dëshirave të madrilenëve për merkaton e verës.

Në Paris, Bayern Munich tregoi edhe një herë forcën e një skuadre që di si të fitojë nën presion. Gjermanët triumfuan 1-2 ndaj kampionëve në fuqi të Europës, PSG-së, duke regjistruar fitoren e 16-të radhazi në të gjitha kompeticionet. Luis Díaz ishte heroi i mbrëmjes me dopietën e tij në minutat 3’ dhe 32’, ndërsa për vendasit shënoi Joao Neves në minutën e 73’, me një gol spektakolar që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Bayerni dhe Arsenali kryesojnë grupet respektive me pikë të plota pas katër ndeshjesh, duke konfirmuar statusin e tyre si favoritët kryesorë për trofeun më prestigjioz të kontinentit.

Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, në Torino debutimi i Luciano Spallettit në stolin e Juventusit nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Sporting Lisbonës. Portugezët kaluan të parët në avantazh me golin e Maximiliano Araujo në minutën e 12-të, ndërsa Dusan Vlahovic barazoi rezultatin pas një asisti të bukur nga Thuram në minutën e 34-të. Në fundin e sfidës u aktivizua edhe Edon Zhegrova, por pa ndikim në rezultat.

Tottenham vazhdoi ecurinë e jashtëzakonshme me një fitore të pastër 4-0 ndaj Copenhagen. Brennan Johnson zhbllokoi sfidën në minutën e 19-të, ndërsa më pas realizuan Odobert (51’), Micky van de Ven (64’) dhe Joao Palhinha (67’), duke siguruar një mbrëmje perfekte për londinezët.

Ndërkohë, Atletico Madrid mposhti Royale Union SG me rezultatin 2-1, falë golave të Alvarez dhe Gallagher, ndërsa Sykes ngushtoi diferencën për belgët në minutën e 80-të.

Në Norvegji, Monaco mori tre pikë të rëndësishme ndaj Bodo/Glimt falë golit të Balogun në fund të pjesës së parë. Në Greqi, Olympiacos dhe PSV ndanë pikët pas barazimit 1-1 në një ndeshje të ekuilibruar deri në minutat e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit