Nuk gjen qetësi Kadastra Shtetërore: Pas Vlorës, shkarkohet edhe drejtori i Sarandës

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 04.11.2025, 22:10

Vijon vala e lëvizjeve në drejtimet rajonale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pas dorëheqjes së kreut të Kadastrës në Vlorë, Genc Deromemaj, këtë herë ndryshimet kanë prekur zyrën e Sarandës.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë, Lorena Goxhobelli, ka firmosur shkarkimin nga detyra të drejtorit të AKSH Sarandë, Ilir Çibuku. Vendimi është marrë pas një vlerësimi të performancës së drejtorisë, ku mësohet se rezultatet e arritura kanë qenë nën pritshmëritë e institucionit.

Burime pranë Kadastrës bëjnë me dije se shkarkimi i Çibukut është motivuar nga rezultatet e dobëta në punë dhe mungesa e efikasitetit në menaxhimin e proceseve, një çështje që është bërë shqetësuese në disa zyra rajonale të institucionit.

Ilir Çibuku kishte marrë drejtimin e Kadastrës në Sarandë në muajin qershor të këtij viti, por qëndrimi i tij në këtë post rezultoi jetëshkurtër. Për momentin, nuk dihet ende kush do ta zëvendësojë atë në krye të kësaj drejtorie, ndërsa pritet që ditët në vijim të ketë emërime të reja.

Kadastra Shtetërore po kalon një periudhë të lëvizjeve të shpeshta në strukturat e saj, me synimin për të rritur transparencën dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve publike, megjithatë, ndryshimet e vazhdueshme kanë ngjallur debate mbi stabilitetin dhe funksionimin e institucionit në nivel vendor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit