Në një intervistë për “Al Jazeera”, kryeministri Edi Rama është shfaqur sërish në rolin e “zërit të arsyes” për sigurinë e kontinentit, duke siguruar Perëndimin se Rusia nuk do të sulmojë asnjë vend europian, madje as Shqipërinë. Sipas Ramës, çdo ide për një agresion të tillë do të ishte “krejtësisht marrëzi”.
“Rusia nuk do të sulmojë Shqipërinë dhe asnjë vend tjetër europian. NATO është e gatshme për çdo lloj agresioni dhe nuk ka pse të ketë frikë nga askush apo nga asgjë, sepse është ushtria më e fortë në botë deri më tani”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se shqiptarët “nuk kanë frikë” dhe vendi nuk ndien asnjë lloj presioni nga Moska, duke nënvizuar se një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s është praktikisht i paimagjinueshëm.
Por Rama nuk u ndal me kaq. Ai vuri në dukje se Bashkimi Europian duhet të ketë një plan më të qartë për paqen në Ukrainë, duke i kujtuar BE-së se provokimet nga Rusia janë të përditshme dhe kërkojnë një qasje më të qëndrueshme diplomatike.
Në margjinat e konferencës “Berlin Global Dialogue”, ku foli për këto çështje, Rama la të kuptohet se ka tashmë një vizion më të gjerë për sigurinë në kontinent, një vizion që, sipas toneve të tij, shkon përtej kufijve të Ballkanit.
Në fund të fundit, duket se ndërsa Europa endet mes frikës, sanksioneve dhe planeve të paqes, “lideri global” nga Tirana tashmë ka dhënë përgjigjen përfundimtare: Rusia nuk do sulmojë askënd. Dhe meqë kjo vjen nga Rama, ndoshta kancelaritë europiane mund të flenë më të qeta sonte dhe në vijim.