Mandarina me helm në tregjet e Tiranës, AKU hesht: analizat zbulojnë përbërës kancerogjen

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.11.2025, 21:30

Një tjetër skandal ushqimor ka dalë në dritë në kryeqytet. Mandarina të spërkatura me insekticidin e ndaluar periphos methyl (i njohur si acticllic) janë shitur në supermarketet e Tiranës, ndërkohë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon të heshtë edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga publikimi i rezultateve laboratorike.

Ky preparat, i ndaluar për përdorim në fushat bujqësore, lejohet vetëm për dezinfektimin e depove apo magazinave ushqimore. Megjithatë, në Shqipëri është përdorur për të spërkatur fruta që kanë mbërritur direkt në tryezat e qytetarëve.

Burime laboratorike nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) kanë konfirmuar se mandarinat e tregtuara përmbanin gjurmë të insekticidit periphos methyl, një përbërës i rrezikshëm që dyshohet se shkakton kancer, dëmton sistemin nervor dhe mund të shkaktojë përgjumje, acarim të rrugëve të frymëmarrjes dhe dëmtime të organeve të brendshme.

Pavarësisht kësaj, AKU dhe Ministria e Bujqësisë nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike për sasinë e produktit që ka qarkulluar në treg apo për origjinën e tij — nëse mandarinat janë shqiptare apo të importuara.

Eksperti i bujqësisë, Shpend Shahini, deklaron se nëse fermerët e kanë përdorur gjatë vegjetacionit, përgjegjësia bie edhe mbi specialistët bujqësorë dhe farmacitë agroushqimore që duhet t’i udhëzojnë për përdorimin e duhur të preparateve.

“Ky insekticid është i ndaluar për përdorim në pemë dhe mund të përdoret vetëm për produkte në ruajtje. Nëse është përdorur në fushë, atëherë kemi dështim të plotë të zinxhirit të kontrollit dhe informimit,” – tha Shahini.

Ndërkohë, qytetarët kanë konsumuar pa dijeni një produkt që Bashkimi Europian e ka ndaluar prej vitesh për shkak të efekteve të rënda në shëndet. Rasti i mandarinave helmuese nxjerr edhe njëherë në pah mungesën e kontrollit në tregun ushqimor dhe vë në pikëpyetje sigurinë ushqimore në vend, ndërsa institucionet përkatëse vijojnë të qëndrojnë në heshtje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit