Një situatë alarmante ka përfshirë Belgjikën mbrëmjen e së martës pasi aeroporti kryesor i Brukselit (Zaventem) u mbyll plotësisht për shkak të disa dronëve të dyshimtë që u panë duke fluturuar mbi pistë dhe hapësirën ajrore përreth.
Autoritetet belge kanë pezulluar menjëherë të gjitha fluturimet, ndërsa avionët që ishin në pritje për ulje janë devijuar drejt aeroporteve të Liège dhe Charleroi.
Sipas shërbimit të kontrollit të trafikut ajror Skeyes, një njoftim për praninë e një droni mbi territorin e aeroportit u mor pak para orës 20:00. “Nga kujdesi për sigurinë, vendosëm të ndalojmë përkohësisht gjithë trafikun ajror në zonën e Zaventem-it,” deklaroi zëdhënësi Kurt Verwilligen.
Ai shtoi se ende nuk dihet saktësisht sa dronë janë parë, por sipas mediave belge, të paktën tre pajisje janë vërejtur në zonë.
Pasagjerët në avionë që duhej të niseshin nga Brussels Airport janë njoftuar për vonesa të paktën gjysmëorëshe, ndërsa aeroporti nuk ka dhënë detaje të tjera, përveç se “situata po hetohet”.
Në të njëjtën kohë, është shpallur një plan emergjence mjekësore në zonën Diegem-Machelen, pranë aeroportit, ndërsa dronë të tjerë janë raportuar edhe mbi bazën ushtarake të Kleine-Brogel, në veri të vendit.
Banorë lokalë kanë raportuar deri në gjashtë dronë mbi bazë, por kur policia dhe helikopterët mbërritën, ato nuk ishin më të dukshme. Autoritetet ushtarake belge nuk kanë konfirmuar detektim të pajisjeve në radarë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare dhe cenueshmërinë e hapësirës ajrore belge, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar origjinën dhe qëllimin e dronëve misteriozë.