Tirana po mbytet nga betoni: Dy kulla të reja binjake ngrihen në Rrugën e Kavajës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.11.2025, 20:33

Tirana po kthehet dita-ditës në një masiv të stërmadh betoni. Nga ndërtesat e thjeshta të viteve ’50 dhe ’60, te pallatet e ngritura në mënyrë kaotike pas viteve ’90, e deri te kullat shumëkatëshe që po mbijnë si kërpudha sot, kryeqyteti po humbet çdo ditë e më shumë frymëmarrjen e tij. Sipërfaqet e gjelbra janë bërë simbolike, ndërsa “kufiri” i ndërtuesve tashmë është qielli.

Vitet e fundit janë dhënë me qindra leje për ndërtime të larta, përfshirë në zonat më elitare të qytetit, madje edhe mes godinave qeveritare, duke e bërë Tiranën më të dendur dhe më kaotike se kurrë më parë. Rrugët janë po ato të para 30 viteve, infrastruktura e pandryshuar, ndërsa popullsia është rritur disa fish.

Në këtë valë betonizimi, një tjetër projekt gjigant po shtohet në listë: dy kulla binjake që pritet të ndërtohen përgjatë Rrugës së Kavajës, një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Projekti, i reklamuar nga firma projektuese “Coldefy”, përshkruhet si një “organizmë e gjallë ngjitur me bulevardin më të rëndësishëm të Tiranës, që prezanton një dialog të ri midis arkitekturës, hapësirës publike dhe mjedisit natyror të qytetit”.

Në përshkrimin zyrtar, kompania shkruan se dizajni është “konceptuar si një rizom mineral që lulëzon nga toka”, me struktura që lidhen vizualisht dhe fizikisht me sheshet përreth. “Ky dizajn nxit një ndërveprim organik midis mjedisit të ndërtuar dhe jetës publike, duke krijuar një rrjedhë të vazhdueshme midis hapësirave të brendshme dhe të jashtme”, thuhet në prezantimin e projektit.

Sipas planit, kompleksi do të integrojë hapësira tregtare, zyra, një hotel, njësi banimi dhe një gamë të gjerë lehtësirash publike e private. Parashikohet edhe ndërtimi i një qendre tregtare, dyqane ekskluzive “qiellore” dhe një restorant panoramik në çati, me pamje të plotë të Tiranës.

Por, pas këtyre përshkrimeve artistike, qëndron realiteti urban i një qyteti që po mbytet nga ndërtimet. Çdo projekt i ri do të thotë më pak dritë për banorët ekzistues, më shumë trafik në rrugë që s’e përballojnë dot fluksin dhe më pak hapësirë publike për qytetarët.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, projekti është në emër të kompanisë Glob3X.al, e cila ka marrë më parë leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit për projekte të tjera në zonën e “5 Majit” dhe në rrugën “Zenel Bastari”. Në faqen e saj zyrtare, kompania ka publikuar tashmë pamjet e para të kompleksit binjak, duke njoftuar se ndërtimi do të nisë së shpejti.

Dy kullat do të ngrihen ngjitur me pallatet ekzistuese përgjatë Rrugës së Kavajës, në një zonë ku çdo metër tokë është i zënë dhe ku fjala “hapësirë publike” është kthyer në ironi. Me këtë ritëm ndërtimi, Tirana rrezikon të humbasë përfundimisht karakterin e saj urban dhe të kthehet në një pyll betoni ku ajri, drita dhe gjelbërimi do të mbeten vetëm në maketet e projektuesve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit