Dy vite pas vdekjes së mistershme të Klaudio Myrtajt, 34-vjeçarit shqiptar të gjetur i plagosur me armë zjarri në një garazh në Vernante të Italisë, familja e tij vijon betejën me drejtësinë italiane duke hedhur poshtë versionin zyrtar të vetëvrasjes.
Ngjarja ndodhi më 4 nëntor 2023, kur Klaudio u gjet i plagosur në bark nga një pistoletë kalibri 22 në punishten ku punonte. Ai humbi jetën disa orë më vonë në spitalin e Cuneos. Prokuroria kërkoi mbylljen e çështjes duke e konsideruar rastin vetëvrasje, por familja dhe e dashura e tij nuk e pranojnë këtë version.
Sipas tyre, asgjë nuk përputhet me idenë e një vetëvrasjeje: Klaudio ishte i qeshur, punëtor, dhe nuk kishte shfaqur shenja depresioni. Ajo që shton më shumë dyshimet është fakti se arma nuk u gjet në vendngjarje, por vetëm pas disa ditësh, e futur në një sirtar në punishten e një të moshuari.
“Do të ishte rasti i vetëm në Itali ku dikush vret veten dhe pastaj fut armën në sirtar”, ironizon avokati Alessandro Parola, që përfaqëson ish-partneren e viktimës.
Avokatët e familjes Myrtaj pretendojnë se arma është zhvendosur për të fshehur gjurmët e një vrasjeje dhe kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes. Deri më tani, askush nuk është nën hetim dhe asnjë arrestim nuk është kryer.
Familja e Klaudios kërkon që çështja të rihapet dhe hetimet të vijojnë për të zbuluar të vërtetën e plotë pas vdekjes së 34-vjeçarit shqiptar, që për ta nuk ishte vetëvrasje, por ekzekutim.