“Pritja që vret”: Gratë me kancer gjiri mes mungesave, radhëve dhe pagesave nën dorë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.11.2025, 18:27

Në Shqipëri, shumë gra të diagnostikuara me kancer gjiri përballen çdo ditë me një realitet të dhimbshëm: pritje të gjata, mungesë medikamentesh dhe detyrim për të paguar trajtimin nga xhepi. Sistemi shëndetësor publik, që duhet të garantonte shërbim falas dhe në kohë, shpesh i kthen pacientet në peng të burokracisë dhe mungesës së furnizimeve.

Historia e Verës është një prej qindra të tilla. Në nëntor 2023, ajo u trondit kur mjeku i gjeti një masë në gji dhe i kërkoi të bënte skaner. Në Spitalin Onkologjik të QSUT iu tha se duhej të priste gjashtë muaj për ekzaminimin. E detyruar nga frika dhe urgjenca, ajo shkoi në një spital privat, ku brenda ditës mori diagnozën e kancerit të gjirit. Aty ku shteti i kërkonte pritje, Vera pagoi mijëra euro për të shpëtuar jetën.

Edhe pas operacionit, kur u rikthye në QSUT për trajtimin me kimioterapi, përballja ishte e njëjtë: radhë shumëorëshe, mungesë barnash dhe medikamente që duhej t’i blinte vetë. “Jo gjithmonë kishte ilaçe. Duhej t’i siguroja privatisht dhe t’i injektoja në shtet,” tregon ajo.

Të dhënat e Gazetës Shëndeti tregojnë se vetëm 3 në 5 paciente me kancer gjiri arrijnë të marrin trajtim të plotë në sistemin publik. Pjesa tjetër detyrohen të ndjekin terapi në privat, jashtë vendit ose duke paguar “nën dorë”. Një tjetër paciente, Alina, rrëfen se ka paguar stafin e Onkologjikut për të përshpejtuar dokumentet, ndërsa për pesë muaj trajtim privat ka shpenzuar 6 mijë euro.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në periudhën 2021–2025 janë regjistruar 49 raste vonesash në furnizimin me barna jetike, ndërsa për disa ilaçe thelbësore, si Actinomycin D dhe Phesgo, nuk ka pasur as kontratë furnizimi. Raporti evidenton edhe ngatërrime të recetave dhe përdorim të barnave të gabuara.

Në një situatë të tillë, edhe vetë ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, ka pranuar problemin, duke premtuar më 20 shtator 2025 rimbursim 100% të barnave onkologjike. Por ulja e buxhetit të shëndetësisë – që në vitin 2026 parashikohet të jetë më e vogël se në 2025 – hedh hije mbi realizimin e këtij zotimi.

Mjekët onkologë theksojnë se çdo vonesë mund të jetë fatale. “Pas diagnozës, trajtimi duhet të nisë menjëherë. Çdo ditë vonesë ul shanset për mbijetesë,” paralajmëron Dr. Orges Spahiu nga QSUT.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik kujton gjatë fushatës së tetorit, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, se “çdo ditë vlen për jetën tënde”. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2025 janë diagnostikuar 391 raste të reja me këtë sëmundje në Shqipëri.

Por për shumë gra si Vera, çdo ditë do të thotë edhe një betejë me sistemin. Një pritje që kushton shëndetin, ndonjëherë edhe jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit