KE ngre alarmin për mungesë transparence dhe keqmenaxhim: Shqipëria jo gati për fondet IPARD III

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.11.2025, 15:20

Komisioni Europian ka vlerësuar se Shqipëria nuk është ende e përgatitur për të përfituar fondet e programit IPARD III, që synojnë zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve. Në raportin e progresit të publikuar sot, Brukseli thekson se zbatimi i programit nuk mund të nisë pa garantuar mbrojtjen e fondeve dhe pa forcuar mekanizmat e mbikëqyrjes.

Në lidhje me zhvillimin rural, është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar. Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së”, thuhet në raport.

Ky vlerësim vjen pas një serie akuzash për abuzime me fondet IPARD, të cilat menaxhohen nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Ministria e Bujqësisë. OLAF – Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, ka nisur hetimet që në vitin 2020, pas një denoncimi nga shtetasi Romeo Nazarko, i cili pretendon se projekti i tij për zhvillimin e kultivimit të arrave u refuzua në mënyrë të padrejtë, pavarësisht se kishte plotësuar të gjitha kriteret.

Programi IPARD ka qenë një burim i rëndësishëm për sektorin bujqësor, duke ofruar mbi 71 milionë euro gjatë periudhës 2014-2020, dhe pritej të vijonte me 146 milionë euro fonde në kuadër të IPARD III.

Megjithatë, dyshimet për korrupsion kanë bllokuar këto investime, duke shkaktuar një krizë financiare dhe besimi në sektorin rural. Dosja për abuzimet e dyshuara me fondet europiane është tashmë në duart e SPAK, ndërsa hetimet vijojnë pa një përfundim konkret. Bllokimi i fondeve ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në zonat rurale, duke ngadalësuar zhvillimin bujqësor, inovacionin dhe standardizimin e produkteve shqiptare për tregjet e huaja.

Për shkak të mungesës së transparencës dhe problemeve të evidentuara në menaxhim, Komisioni Europian ka vendosur që fondet e programit IPARD III të mbeten të ngrira deri në garantimin e një sistemi të besueshëm dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit