Një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, Vollga, është kthyer në një pikë të zezë mjedisore. Punimet për rikonstruksionin e zonës, të nisura në prill, janë pezulluar prej muajsh, duke e lënë shëtitoren në një gjendje alarmante. Ujërat e zeza të qytetit, që më parë derdheshin drejtpërdrejt në det, tashmë derdhen në shëtitore, duke krijuar një ndotje të rëndë dhe një erë të padurueshme në gjithë zonën.
Kallamishtet dhe mbetjet kanë mbuluar hapësirat pranë detit, ndërsa tubacionet e prishura mbajnë pezull ujërat e ndotura mbi shëtitore. Turistët dhe qytetarët që kalojnë aty përballen me një pamje të shëmtuar dhe një ndotje që përbën rrezik për shëndetin publik.
Ironikisht, këtë vit Vollga është shpallur plazh publik nga kryetarja e bashkisë, Emirjana Sako, si pjesë e nismave për promovimin e turizmit në qytet. Por realiteti në terren është krejt ndryshe – një zonë e rrezikshme, me erë të rëndë dhe ndotje të dukshme, ku, siç shprehen banorët, “duhet maskë oksigjeni për të kaluar”.
Ndërkohë që kryeministri dhe bashkia po vijojnë aksionet për shembjen e ndërtimeve pa leje, në të njëjtën zonë, pikërisht buzë detit, ka nisur funksionimin një hotel i ri. Projekti i rikonstruksionit të Vollgës, që pritej të përfundonte pas tetë muajsh, vijon të mbetet i papërfunduar, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza dhe për rifillimin e punimeve.
Denoncimi i qytetarit:
Turizëm mbi fekale? Vollga e Durrësit po shkatërrohet! Vollga, një nga zonat më të bukura të Durrësit, është kthyer në tmerr ambiental. Punimet e nisura në prill janë pezulluar prej muajsh, ndërsa ujrat e zeza te qytetit qe perpara derdheshin drejtpërdrejt në det, tani derdhen ne shetitore dhe era e fekaleve mbush ajrin. Zona është mbuluar me kallamishte, tubat e prishur mbajnë ujrat e zeza pezull mbi shëtitore, dhe turistët përballen me këtë skandal përpara se të shijojnë pamjen e detit. Është absurde që në 2025 të ndodhë kjo. Ndërkohë që zona kete vit eshte shpallur plazh publik nga Kryetarja e bashkise Emirjana Sako e cila na “promovon” turizmin. Zonja kryetare njerëzit nuk mund të lahen në detin e ndotur, aty madje nuk kalohet dot, duhet maske oksigjeni kur kalon tek shetitorja. Kjo nuk është vetëm një turp, është një shkelje e shëndetit publik dhe e mjedisit. Kërkojmë ndërhyrje urgjente: të rifillojnë punimet, të ndalohet derdhja e ujrave të zeza dhe të mbrohet Vollga si duhet. Nderkohe qe kryeminstri dhe kryetarja e bashkise po bejne namin duke shembur ndertimet pa leje, ne Vollga po ne kete zone sapo ka lulezuar nje hotel ne breg te detit. Pretendohej qe sot pas 8 muajsh projekti te kishte perfunduar.



