Mbrëmjen e kaluar Saranda është përballur sërish me përmbytje në rrugët kryesore dhe shëtitoren e qytetit, vetëm pak minuta pas reshjeve të shiut.
Një qytetar ka dërguar një video në redaksinë tonë, duke treguar se uji ka mbuluar trotuaret, lokalet dhe rrugët e rikonstruktuara, duke krijuar jo vetëm pengesa për qarkullimin, por edhe erë të rëndë dhe ndotje.
Problemi, sipas banorëve, lidhet me mosfunksionimin e pusetave dhe mosnivelimin e rrugëve nga kompania që realizoi projektin në vitin 2020. Shumë prej puseteve janë të bllokuara, ndërsa rrjeti i kanalizimeve nuk është projektuar për të përballuar reshjet, çka çon në përzierjen e ujërave të zeza me ata të shiut.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Sarandës, duke kërkuar zhbllokimin e puseteve si zgjidhje e përkohshme dhe llogari nga firma përgjegjëse për gabimet në projekt. Sipas tyre, kjo situatë përkeqësohet çdo vit gjatë periudhës së shirave, duke rrezikuar jo vetëm pronat dhe bizneset, por edhe standardin turistik të qytetit.
Qytetarët shprehin shqetësimin e tyre se, megjithë investimet e bëra në infrastrukturë dhe rikonstruksion, asnjë masë konkrete nuk është marrë për të korrigjuar defektet, duke e lënë qytetin të përballet me të njëjtat probleme pas çdo reshjeje.
Denoncimi i qytetarit:
"Pershendetje si kaluat? Po ju dergoj nje video nga saranda ta publokoni ku lutem. Mbremjen e djeshme, ne rrugen me kryesore te qytetit 50metra distance nga Bashkia Sarande. Jemi qytetare lindur dhe rritur ne Sarande, sa vite jetojm para se te behej projekti i rruges se re me kalldrem nuk e dinim se cfare ishte permbytja edhe pse rruga ishte pothuajse 50+ vite si projekt. 2 vitet e fundit pas realizimit te rruges se rre, po perjetojme per here te pare probleme me permbytjen e rrugeve, troutareve edhe bizneseve te ndodhur ne katin e pare. Nuk po kerkojme te na pergjigjet njeri per demet materiale, por te na japin nje zgjidhje pasi nga viti ne vit kur vjen periudha e shirave behet gjithnje edhe me keq. MOS FUNKSIONIMI I PUSETAVE pasi jane shumica ne kete rruge te bllokuara dhe MOS NIVELIMI I RRUGES sic duhet nga kompania qe ka realizuar projektin jane problemet me te medha. I drejtohemi edhe i lutemi Bashkise Sarande: 1- Te japi zgjidhje per zhbllokimin e pusetave, pasi duke i zhbllokuar mund te na japi nje zgjidhje shume te vogel te perkohshme per te ndihmuar situaten. 2- Te kerkoj llogari tek firma qe ka realizuar projektin per MOSNIVELIMIN e sakte edhe cdo gje tjeter qe eshte bere gabim ne projekt, pasi kompania ende nuk ka realizuar te gjitha projektet qe ka nisur ne Sarande per ndertimim e rrugeve me kalldrem.