Një muaj më parë, ministrja e Brendshme Albana Koçiu urdhëroi ndalimin e përdorimit të skuterave dhe mjeteve të tjera elektrike për shkak të rrezikut dhe papërgjegjshmërisë së disa përdoruesve, që lëvizin me to edhe në autostrada ku shpejtësia dhe rreziku janë të larta.
Edhe pse ndalimi i përdorimit është konsideruar i paligjshëm dhe pa asnjë bazë ligjore, përveç drejtuesve të mjeteve elektrike, të njëjtën papërgjegjshmëri kanë edhe përdoruesit e biçikletave.
Së fundmi në redaksinë tonë ka mbërritur një video e cila tregon një qytetar me biçikletë në autostradën Tiranë-Durrës, madje në korsinë e re të sapo shtruar. Qytetari shihet duke lëvizur nëpër shi krahas makinave dhe me të njëjtën shpejtësi, pa u shqetësuar fare për rrezikun që i kanoset.
Duhet thënë se ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që qytetarë me biçikleta e skutera futen në autostrada duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe përdoruesve të tjerë të rrugës. Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve përkatëse dhe monitorimin e vazhdueshëm të akseve kryesore për të shmangur ngjarjet tragjike.