Disa shoferë lokalë të linjës Librazhd – Elbasan kanë shprehur ankesat e tyre në JOQ, duke u shprehur të zhgënjyer për punimet në rrugën ndërmjet Librazhdit dhe Elbasanit. Në këtë lidhje, ata theksojnë se, ndërsa mirëpritet çdo përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës, është thelbësore që punimet të kryhen në mënyrë më të kujdesshme, duke mbushur gropat dhe duke shmangur dëmtimet e automjeteve.
Shoferët shprehen se, çdo ditë, për shkak të gropave, automjetet e tyre, përballen me probleme të rënda si pluhruri dhe balta dhe copa shkëmbinjsh të shkëputura.
Ata shtojnë se gropat shkaktojnë tronditje të forta tek pasagjerët dhe mund të dëmtojnë seriozisht mjetet, duke kërkuar nga autoritetet e përfshira të ndërhyjnë sa më shpejt.
Një prej shoferëve, i indinjuar, shprehet: "Nuk u kushton asgjë qoftë dhe një lopate dhe bëhet mbushja e gropave, por këta nuk po e bëjnë. Ne po e paguajmë çmimin e madh, duke shkatërruar mjetet tona. Të paktën, të mbushen gropat, se kjo është e domosdoshme për sigurinë tonë dhe të pasagjerëve."
Shoferët kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt për ta eliminuar këtë problem, duke shmangur dëmet e mëtejshme në mjetet e tyre dhe duke rritur sigurinë e udhëtarëve.
Për momentin, kjo situatë vijon të mbetet një problem i madh që pengon zhvillimin normal të linjës dhe sjell shqetësim për qytetarët.

