Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë të sofistikuar mashtrimi me ilaçe të rimbursueshme, në qendër të së cilës qëndron kompania CFO Pharma të Nadir Çaushollit, në bashkëpunim me zyrtarë të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Si pjesë e hetimeve, janë lëshuar 8 masa sigurie, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe ish- drejtori i FSDKSH-së, Spartak Zekja, i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”.
Nga hetimet ka rezultuar se nëpërmjet faturave dhe inventarëve fiktivë për barnat “Foster” dhe “Trimboë”, kompanitë “CFO Pharma”, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” kanë përfituar në mënyrë të paligjshme fonde të rimbursimit nga FSDKSH. Në këtë skemë janë përfshirë edhe disa punonjëse të Fondit, të cilat akuzohen se kanë firmosur dokumente të rreme për verifikimin e sasisë së barnave në depo, pa kryer kontroll fizik.
Përveç Zekjës, nën hetim dhe me masa sigurie janë vendosur Alba Zylfo, Jona Berberi, Lorela Ballabani, Zade Mali, Romina Agalliu dhe Esjana Gjishti, ndërsa administratori i CFO Pharma, Frigul Milla, është shpallur në kërkim. Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfitimeve të paligjshme që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit dhe sistemin shëndetësor.