Një 31-vjeçar nga Durrësi, i identifikuar si Mateo Duma, është paraqitur këtë të dielë në spitalin e Durrësit me plagë të shkaktuar nga armë zjarri në zonën e thembrës. Ai iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, gjatë marrjes në pyetje, Duma nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, duke deklaruar se “nuk e di dhe nuk mban mend se si është plagosur”. Ky qëndrim është vlerësuar si i dyshimtë nga uniformat blu, pasi ngjarja lidhet me përdorimin e armëve të zjarrit, një element që kërkon domosdoshmërisht verifikim dhe bashkëpunim nga pala e dëmtuar.
Në këto rrethana, 31-vjeçari rrezikon ndjekje penale për veprën e “moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, nëse rezulton se ai ka dijeni për autorin apo rrethanat e ngjarjes dhe ka zgjedhur të mos i deklarojë ato.
Ndërkohë, grupi hetimor i Policisë së Durrësit po vijon punën për identifikimin e autorit apo autorëve të plagosjes, si dhe për të zbardhur motivet e mundshme që çuan në këtë ngjarje. Janë sekuestruar pamje sigurie nga kamerat pranë vendngjarjes, ndërsa po merren në pyetje edhe persona që mund të kenë informacione të vlefshme për rastin.