Në zemrën e Nënshkodrës, aty ku dikur dëgjoheshin zërat e fëmijëve dhe trokëllimat e kafshëve në oborre, sot mbretëron heshtja. Fshati Samrish i Ri, dikur plot jetë, tani duket si një kujtim i largët, rrugë të boshatisura, shtëpi të mbyllura dhe dritare që nuk ndizen më në mbrëmje.
Emigracioni po e zhbën çdo ditë nga pak jetën në këto zona. “Të gjithë janë larguar. Nga 500 vetë, kanë mbetur 67. Të gjithë pleq. Emigrantët na ndihmojnë nga pak, por jeta këtu ka marrë fund. Kur s’ka njerëz, s’ka jetë”, thotë një banor me zë të dridhur, ndërsa tregon shtëpitë bosh përreth.
Shkak për ikjen, sipas banorëve, janë mungesa e punës, përmbytjet e vazhdueshme dhe mungesa e shërbimeve më bazike. “Këtu nuk panë zhvillim, nuk panë shpresë. U larguan për të jetuar, jo për të bërë turizëm”, tregon Viktor Lakaj, kryeplak i fshatit Samrish.
Më e dhimbshme se boshatisja e shtëpive është mbyllja e shkollave. Në Samrish të Vjetër dhe Samrish të Ri, dy shkolla që dikur kishin mbi 150 nxënës, sot dyert janë mbyllur përfundimisht. “Kjo shkollë kishte 160 fëmijë, sot nuk ka asnjë. Si mund të flasim për zhvillim kur s’kemi as ujë, as drita?”, thotë me trishtim kryeplaku.
Ai vetë pranon se së shpejti do të largohet. “Do iki te fëmijët. S’ka kush qëndron më këtu. S’ka ujë, s’ka jetë. Vetëm pleqtë e mbetur që presin një përmirësim që nuk vjen.”
Në këto fshatra, jeta po fiket ngadalë, jo nga mungesa e dashurisë për vendin, por nga mungesa e mundësive për të jetuar me dinjitet. Banorët kërkojnë që shteti të kthejë sytë nga Nënshkodra, përndryshe shumë shpejt, edhe zëri i fundit që dëgjohet aty, do të shuhet bashkë me kujtimet.