Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë Erion Veliajt të vijojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, edhe pse ndodhet në paraburgim, rrjetet sociale janë përfshirë nga ironia dhe sarkazma.
Në një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjet, shihen fishekzjarre që shpërthejnë mbi burgun e Durrësit, aty ku Veliaj po “ushtron detyrën” nga qelia. Pamjet duken si një “festë fitores”, një spektakël dritash për të përshëndetur “drejtësinë shqiptare” që vazhdon të befasojë me kreativitetin e saj institucional.
Vendimi i Gjykatës, me 5 vota pro dhe 3 kundër, rrëzoi vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Veliajt dhe anuloi dekretin e Presidentit për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Me pak fjalë, Tiranës i kursehet një fushatë tjetër, kryebashkiaku e fitoi mandatin “me regji burgu”.
Qytetarët e kanë pagëzuar këtë si “risi demokratike”: një sistem ku drejtimi i bashkisë dhe dënimi penal mund të bashkëjetojnë pa problem nën të njëjtin tavan. Ndërsa fishekzjarret e hedhura nga mbështetës të Veliajt që ndriçojnë qiellin e Durrësit simbolizojnë ndoshta epokën e re të politikës shqiptare, atë ku, për herë të parë, drejtësia, pushteti dhe absurdi festojnë së bashku.