Sakot “kapin” Jugun: Një vëlla në fushatë për Tepelenën, tjetri merr tendera me “2T”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.11.2025, 21:46

Ish-komandanti i Gardës, Gramoz Sako, ka nisur zyrtarisht takimet elektorale për zgjedhjet në Bashkinë Tepelenë. Por, ndërsa ai kërkon votën e qytetarëve, vëllai i tij, Artani, duket se ka hyrë në “fushatë” tjetër, atë të tenderave publikë.

Vetëm gjatë javës së fundit, kompania “2T”, në pronësi të Artan Sakos, ka fituar tre tendera të majmë në qytetet e jugut, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe lidhje të ngushta mes politikës dhe biznesit familjar.

Tenderi i parë është ai për ndërtimin e stacionit të pompave në Gajdë të Lushnjes, me fond limit 4.25 milionë euro. Fitues u shpall “2T” me ofertë 3.8 milionë euro, ndonëse kishte oferta më të ulëta. Po atë ditë, kompania mori edhe një tender tjetër, me vlerë 2 milionë euro, për rikonstruksionin e rrugës së Athalit në Himarë, në bashkëpunim me “Apis Construction”, kompani e lidhur ngushtë me të njëjtin rreth biznesor.

Era e korrupsionit ndihet qartë, pasi ofertat në tenderin e Himarës ndryshonin vetëm me 20 mijë lekë nga njëra-tjetra, një sinjal i fortë për marrëveshje mes garuesve.

Ndërkohë, ende pa u tharë firmat e këtyre kontratave, “2T” fitoi edhe një të tretë, këtë herë në Bashkinë Vlorë, për rikonstruksionin e kanaleve të ujërave të larta, me vlerë 550 mijë euro.

Në total, kompania “2T” ka përfituar mbi 100 milionë euro nga fondet publike gjatë pesë viteve të fundit, duke u shndërruar në një nga “peshkaqenët” më të mëdhenj të buxhetit të shtetit. Dhe ndërsa Artani numëron tenderat, Gramozi kërkon votat, për ta bërë kapjen e Jugut një çështje familjare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit