Vrau 13-vjeçaren shqiptare, dënohet me 17 vjet burg 16-vjeçari italian

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 03.11.2025, 21:26

Gjykata e të Miturve në Bolonja ka dhënë vendimin për autorin e ngjarjes tragjike që tronditi Italianë një vit më parë. Autori i vrasjes së 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila është dënuar me 17 vite burg, pas një procesi gjyqësor ku u provua se vajza nuk kishte humbur jetën aksidentalisht, por ishte shtyrë nga ballkoni.

Tragjedia ndodhi më 25 tetor 2024, në një ndërtesë në qytetin e Bolonjës. Aurora Tila, vetëm 13 vjeçe, humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të shtatë të banesës ku jetonte. Në fillim, u dyshua për një aksident, por hetimet e mëvonshme zbuluan se pas vdekjes së saj qëndronte një akt dhune.

Autori, një djalë 16-vjeçar (atëherë vetëm 15), kishte pasur një lidhje me të miturën dhe ndodhej me të në momentin tragjik. Ai u arrestua nën akuzën e vrasjes me dashje, por fillimisht e mohoi përfshirjen në ngjarje.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të Giovanni Ceçhetto, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Pavias, dëmtimet në trupin e vajzës treguan qartë se ajo nuk ishte hedhur vetë, por është shtyrë. Ajo kishte fraktura të shumta, ndërsa goditjet fatale ishin ato në kokë, të cilat shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Në kyçet e duarve u gjetën shenja të forta, që dëshmonin përpjekjen e saj për t’u kapur pas parmakut përpara se të binte.

Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës morën dëshmi nga tre persona që ndodheshin në afërsi të vendngjarjes. Dy prej të cilëve thanë se e kishin parë Aurorën të varur pas parmakut, ndërsa djali e godiste me grushta në duar. Një dëshmitar tjetër deklaroi se kishte dëgjuar britmat e vajzës pak çaste përpara se ajo të binte.

Pas analizës së provave, dëshmive dhe ekspertizës mjeko-ligjore, Gjykata e të Miturve në Bolonjë shpalli fajtor 16-vjeçarin për vrasje me dashje dhe e dënoi me 17 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, prej 20 vitesh e 8 muajsh, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar lirimin nga akuzat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit