Pas dosjes në SPAK, Benet Beci nis “lavazhin e imazhit”: tender për video dhe reklama online!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.11.2025, 18:54

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, duket se ka nisur ofensivën e propagandës për të “shpëlarë” imazhin e dëmtuar nga hetimet e SPAK. Vetëm pak kohë pas marrjes së akuzës për shkelje të barazisë në tendera, Beci ka firmosur një tjetër procedurë, këtë herë për prodhimin e videove dhe reklamave promovuese në internet.

Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ, Bashkia e Shkodrës ka hapur një tender me objekt “prodhim video për fushatat e marketingut online”, që synon promovimin e punëve të kryera gjatë dy viteve të fundit. Në fakt, fushata duket të ketë në qendër jo qytetin, por vetë kryetarin që kërkon të përmirësojë perceptimin publik pas dosjes së tij në Prokurorinë e Posaçme.

Prokuroria e SPAK ka marrë Benet Beci si të pandehur për një aferë prej rreth 700 mijë eurosh, gjatë kohës që ai drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare. Në hetime janë përfshirë edhe biseda të zbuluara nga telefoni i ish-drejtorit të KESH-it, Ergys Verdho, ku përmenden ndarje parash mes “profesorëve të Harvardit dhe atyre me dy klasë shkollë”.

Tenderi i ri i Bashkisë përfshin prodhimin e tre videove promovuese për projekte në Shkodër, me ritëm të shpejtë pamjesh dhe tinguj ambienti që “të krijojnë ndjesi krenarie dhe dashurie për qytetin”. Përveç videove, kërkohet edhe menaxhimi i fushatës online në Facebook dhe Instagram, me target grupmoshat 20–50 vjeç dhe reklama të sponsorizuara me pagesë.

Modeli është i njohur: një strategji e kopjuar nga Erion Veliaj dhe ndjekur më pas nga Edi Rama e Belinda Balluku, ku videot “si ka qenë dhe si është” shërbejnë si armë imazhi për zyrtarët e mazhorancës.

Në Shkodër, duket se “rinovimi” fillon jo nga rrugët apo ndërtesat, por nga videot e propagandës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit