Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka vënë në pranga një ish-oficer të Gardës së Republikës, i dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Në pranga ka përfunduar Z. M., ish-komisar në Gardë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Në të njëjtin hetim është përfshirë edhe shtetasi K. D., banues në Tiranë, për të cilin është urdhëruar masa “detyrim për t’u paraqitur”, por aktualisht ndodhet në kërkim.
Sipas AMP-së, hetimet me metoda speciale kanë zbuluar se të dy të dyshuarit kanë bashkëpunuar për t’i premtuar një gruaje ndërhyrje të paligjshme në një institucion shtetëror, me qëllim përshpejtimin e disa procedurave, kundrejt shumës prej 20 mijë eurosh.
Shuma e marrë konsiderohet “shpërblim për ndikim të paligjshëm”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive.